HALILI DHE HAJRIA

HALILI DHE HAJRIA


Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” do të rikthehet në skenë në kuadër të 60-vjetorit të Teatrit të Operës dhe Baletit. I cilësuar si një nga veprat më të mira, dhe ato që janë më të rëndësishme për historinë e këtij institucioni, këtë herë baleti i parë shqiptar do të vijë sipas konceptit të koreografit Arian Sukniqi. Pas disa veprave të suksesshme, që janë ngjitur në skenën e TOB, tashmë koreografi Sukniqi tregon se prej disa ditësh kanë filluar punën për të sjellë këtë vepër kaq të rëndësishme të baletit shqiptar. ““Halili dhe Hajria”, baleti i parë shqiptar, për herë të fundit është vënë i plotë në skenë më 2003 nga koreografi Agron Aliaj. Me këtë rivënie të tij u ftua edhe Ilir Kerni, i cili kërceu në rolin e Halilit. Këtë herë kjo vepër rikthehet në TOB me rastin e 60-vjetorit të këtij teatri, ku nuk mungon dhe konsulenca e Albert Jankut, Kujtim Hoxhës, Alisa Gjonit dhe Domenika Ndrecës”, tregon koreografi Sukniqi. Mbi mënyrën se si do të vijë kjo vepër në skenën e TOB, 10 vite pas rivënies së fundit në skenë, koreografi Arian Sukniqi pohon se struktura ideore e veprës do të ruhet, por është menduar për një vepër më spektakolare.









“Në fakt aty do të ruhet struktura indore e veprës, por skenografia, imazhi videoteknik, konceptimi pa pauza midis tablove dhe kurimi i personazheve, do ta bëjnë këtë vepër më spektakolare”, shton më tej koreografi Arian Sukniqi. Me këtë rivënie të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” është angazhuar orkestra e TOB, e gjithë trupa e baletit, pasi duke qenë se këtë vit shënohet dhe 60-vjetori i TOB vepra merr dhe më shumë rëndësinë e saj. Edhe pse nuk ka një datë se kur mund të vijë gjatë këtij sezoni baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, koreografi Arian Sukniqi na zbulon dhe një tjetër surprizë për këtë vepër. Protagonistët e baletit që kanë interpretuar në skenë kur është vënë për herë të parë, ata që janë gjallë do të ngjiten në skenë për të përshëndetur veprën, por dhe të tjerë emra që më pas kanë lozur rolin e Halilit. “Do të ftohen të tërë solistët, të gjithë ata që jetojnë dhe që kanë qenë pjesëmarrës në këtë balet dhe kanë kërcyer rolet e para në skenë. Mes tyre përmend Ganimet Vendesha, Albert Janku, Skënder Jazexhiu apo dhe Ilir Kerni”, pohon koreografi. Në vlerësimin e tij artistik, koreografi Arian Sukniqi, i cili dhe më herët ka sjellë vepra shqiptare në skenë, pohon se në baletin “Halili dhe Hajria” koreografia e para 50 viteve ka qenë e avancuar për kohën. “Libreti dhe muzika janë vërtet të jashtëzakonshme. Edhe koreografia kur e mendon që është realizuar para 50 viteve ka qenë shumë e avancuar për kohën”, përfundon në fjalën e tij koreografi Arian Sukniqi, i cili është angazhuar për të rikthyer për publikun emocionet e baletit të parë shqiptar.











Comments

Popular posts from this blog

LUGJET E VERDHA

UDHETIMET E GULIVERIT

HIRUSHJA