HARRY POTTER

HARRY POTTER

Harry Potter është një seri romanesh fantazi të shkruara nga shkrimtarja britanike, J. K. Rowling. Vëllimet, të emëruara pas personazhit kryesor, rrëfejnë aventurat e një magjistari të ri, Harri Poter, dhe miqve të tij, Ronald Uezli dhe Hermionë Grenxhër, të cilët janë studentë në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. Historia flet për përballjen e Harrit me magjistarin e errët, Lordin Fluronvdekje, i cili ka për qëllim të bëhet i pavdekshëm, të pushtojë botën e magjisë, të nënshtrojë njerëzit jo-magjistarë (Babanacët), dhe të vrasë të gjithë ata që mundohen ta pengojnë.
Që prej nxjerrjes së romanit të parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, më 30 qershor 1997, librat kanë fituar një popullaritet të pamasë dhe kritika të shumta pozitive, duke u kthyer në një sukses tregtar kudo në botë. Seria ka hasur gjithashtu disa kritika negative, duke përfshirë shqetësimin për tonin e errët të përdorur në të shkruar si dhe dhunën që paraqet. Vepra është përkthyer në 80 gjuhë të ndryshme dhe deri në shkurt të 2008-ës janë shitur rreth 500 milion kopje, duke e kthyer serinë e Harry Potter në një nga seritë e librave më të shitura në historinë botërore. Katër librat e fundit kanë vendosur rekordin për librat e shitur më shpejt në histori, me gjithsej 11 milion kopje të shitura në Shtetet e Bashkuara vetëm në 24 orët e para që nga dalja ne treg.






Seria u botua në fillim në anglisht nga dy botues kryesorː Bloomsbury Publishing për Mbretërinë e Bashkuar dhe Scholastic Corporation për Shtetet e Bashkuara. Seria në shqip është botuar nga shtëpia botuese "Dituria", përkthyer nga Amik Kasoruho prej versionit italian fillimisht ndërsa 4 librat e fundit u përkthyen prej origjinalit në anglisht. Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar, një dramë e shkruar nga Jack Thorne, J. K. Rowling dhe John Tiffany pati premierën e saj në Londër më 30 korrik, 2016. Skenari i saj u botua 1 ditë më vonë nga Little, Brown Book Group. Në shqip skenari u botua po nga e njejta shtëpi botuese rreth 1 vit më vonë, përkthyer nga Mira Kroqi nga origjinali. Saga është përshtatur në një seri prej 8 filmash (libri i fundit ndahet në dy pjesë) nga Warner Bros. Pictures dhe është aktualisht seria e tretë më fitimprurëse e të gjitha kohërave deri në shkurt të 2008-ës. Në 2006-ën vlera në tërësi e të gjithë markës së Harry Potter u llogarit të ishte 25 miliard dollarë duke e bërë një nga markat më fitimprurëse të të gjitha kohërave.
Harry Potter, një seri e disa zhanreve, duke përfshirë fantazinë, kalimin nga fëmijëria te mosha e rritur, dhe rrëfimin e jetës shkollore britanike (me elemente të misterit, thrillerit, aventurave dhe romancës), ka shumë kuptime kulturore dhe referenca. Sipas Rowling, tema kryesore është vdekja. Gjithashtu trajtohen dhe tema të ndryshme, si paragjykimi, korrupsioni dhe çmenduria.
Suksesi i librave dhe filmave e ka lejuar markën e Harry Potter të zgjerohet, me vepra të ndryshme të rrjedhëse, mes zhvillimeve të tjera, ku përfshihet një ekspozitë lëvizëse që u hap në Chicago në 2009-ën, një ekspozitë studioje në Londër e quajtur Krijimi i Harry Potter që u hap në 2012, një platformë digjitale ku Rowling përditëson botën e Harry Potter me informacione të reja. dhe një pentalogji filmash të vendosur në të njëjtin univers që nisën në nëntor të vitit 2016 me Krijesat magjike dhe ku t'i gjejmë ato. Më së fundmi, parqe me tematikë nga Harry Potter, të njohura në tërësi si Bota Magjike e Harry Potter, janë ndërtuar në disa parqe zbavitëse Universal Parks & Resorts anembanë botës.

Comments

Popular posts from this blog

LUGJET E VERDHA

UDHETIMET E GULIVERIT

HIRUSHJA